Multimedia

INTERVISTA


INTERVISTA ME HISTORIANIN Z. PAULIN ZEFIN MBI PROJEKTIN ME TEMË “GJERGJ KASTRIOT-SKËNDERBEU HEROI YNË KOMBETAR”:

1. Si e përshkruani fëmijërinë dhe jetën e hershme të Gjergj Kastriotit? Si e formoi kjo karakterin dhe aftësitë e tij ushtarake?

Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka lindur në vitin 1405 dhe deri në vitin 1415 qëndroi pranë familjes së tij. Më pas ai u mor peng nga Perandoria Osmane dhe u dërgua në oborrin sulltanor, ku u rrit dhe u edukua në shkollën e pallateve të brendshme, e njohur ndryshe si “Enderun”. Në këtë ambient ai jetoi pranë sulltanit dhe u rrit së bashku me fëmijët e tij, gjë që ndikoi drejtpërdrejt në formimin e tij. Sipas kronikave osmane të kohës, të shkruara nga autorë që shpesh kanë qenë dëshmitarë okularë dhe mbështetës të sulltanit, ai ishte një fëmijë shumë i zhvilluar, si nga ana fizike ashtu edhe nga ajo mendore. Deri në vitin 1423 ai studioi në Akademinë Enderun, ku përfundoi arsimin në moshën 18-vjeçare. Pas përfundimit të saj, ai mori komandat e para si komandant i kalorësisë dhe arriti të udhëhiqte rreth 5000 kalorës, çka tregon besimin që kishte fituar në një moshë shumë të re. Në vitin 1423 shënohet një rikthim i tij në atdhe sipas disa burimeve, megjithatë ai u rikthye sërish në shërbim të Perandorisë Osmane. Në vitin 1436 përmendet një tjetër rikthim i lidhur me burime që e vendosin atë në zonën e Athosit në Greqinë e sotme. Ndërsa në vitin 1431 ai pati një qëndrim shumë të shkurtër në atdhe, ku mori pjesë në një marrëveshje së bashku me të atin dhe tre vëllezërit e tij. Në këtë periudhë, njëri nga vëllezërit kishte ndërruar jetë më 25 korrik 1431. Kjo periudhë përbën fazën më të rëndësishme të formimit të tij, ku ai fitoi njohuri të thella jo vetëm në artin ushtarak, por edhe në fusha të tjera. Shkolla e pallatit nuk ishte vetëm një institucion ushtarak, por një qendër e plotë edukimi, ku mësoheshin edhe gjuhë të huaja. Skënderbeu mësoi gjashtë gjuhë të huaja, përveç arbërishtes (shqipes), e cila ishte baza e tij. Ai zotëroi turqishten osmane, arabishten, persishten (e lidhur edhe me letërsinë), greqishten e vjetër klasike, latinishten dhe italishten. Disa burime përmendin gjithashtu edhe njohjen e gjuhës sllave kancelare, e cila përdorej në dokumentet kishtare dhe zyrtare të kohës. Fakti që ai i zotëronte këto gjuhë mbështetet në dëshmi të shumta historike. Autorë bashkëkohës nga Italia dhe Roma, të cilët e kanë takuar personalisht, dëshmojnë se ai fliste rrjedhshëm italisht dhe latinisht gjatë takimeve me Papën. Këto dëshmi, së bashku me dokumentet historike dhe rrëfimet gojore, tregojnë qartë nivelin e lartë të arsimimit të tij. Në aspektin ushtarak, ai u trajnuar si këmbësor dhe kalorës, por preferenca dhe aftësia e tij më e madhe ishte në kalorësi. Ai u dallua për talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe arriti të bëhej komandant i kalorësisë. Garda personale që krijoi më vonë u organizua sipas modelit ushtarak osman, i cili konsiderohej ndër më të avancuarit e kohës. Kjo tregon jo vetëm aftësinë e tij për të mësuar nga përvoja, por edhe për ta përshtatur dhe përmirësuar atë në funksion të qëllimeve të tij. Në këtë mënyrë, qëndrimi i tij në Perandorinë Osmane ndikoi drejtpërdrejt në formimin e tij si strateg dhe udhëheqës ushtarak i jashtëzakonshëm.

2. Mund të na tregoni për disa nga betejat më të rëndësishme të Skënderbeut dhe strategjitë që ai përdorte për t’u përballur me ushtritë osmane?

Gjatë jetës së tij ushtarake, Skënderbeu zhvilloi rreth 35 beteja kundër Perandorisë Osmane dhe kundërshtarëve të tjerë. Numri 25 shpesh përmendet si simbolik, pasi përfaqëson 25 vite qëndresë të pandërprerë (1443–1468). Megjithatë, nëse përfshijmë edhe rrethimet e Krujës dhe përleshje të tjera të vogla, numri i përgjithshëm i betejave arrin në rreth 35. Strategjia e tij ishte shumë e zgjuar dhe fleksibël. Kur përballej me ushtri të vogla ose të krahasueshme me të tijat, ai zgjidhte të zhvillonte beteja të hapura në fushë. Ndërsa kur përballej me ushtri shumë më të mëdha, shpesh mbi 50 000 ushtarë, përdorte taktika të avancuara si mashtrimi, keqinformimi, pritat, sulmet e befasishme dhe luftën guerile në terrene malore. Një nga betejat më të rëndësishme ishte ajo e Torviollit më 29 qershor 1444, e cila shënoi një fitore të madhe dhe rrëzoi idenë se Perandoria Osmane ishte e pamposhtur. Ndërsa një nga kryeveprat më të mëdha të tij mbetet Beteja e Albulenës, e zhvilluar më 2 shtator 1457. Në këtë betejë, ai kishte rreth 16 000 ushtarë dhe arriti të mposhtte një ushtri osmane prej rreth 18 000 vetash. Kjo fitore konsiderohet si një nga arritjet më të mëdha të artit ushtarak në histori dhe dëshmon aftësinë e tij të jashtëzakonshme strategjike.

3. Cili ishte roli i Skënderbeut në Shqipëri dhe cilat ishin kontributet e tij kryesore për kombin dhe mbrojtjen e territoreve?

Skënderbeu ishte figura qendrore e qëndresës shqiptare kundër Perandorisë Osmane dhe u shndërrua në simbol të unitetit dhe lirisë. Ai njihej si udhëheqës i popullit dhe shpesh është konsideruar si një figurë pothuajse legjendare, e adhuruar jo vetëm nga populli i tij, por edhe e respektuar nga armiqtë. Rëndësia e tij nuk kufizohet vetëm në historinë shqiptare, por shtrihet edhe në atë europiane dhe botërore. Ai konsiderohet hero ndërkombëtar, sidomos në Europën Perëndimore, Qendrore dhe Lindore, si dhe në Amerikën e Veriut. Figura e tij është përjetësuar në shumë vende përmes statujave, busteve dhe emërtimeve të rrugëve dhe shesheve, duke treguar ndikimin e tij të madh historik dhe kulturor.

4. Kur u zhvillua Besëlidhja e Lezhës dhe sa banorë ishin përfshirë drejtpërdrejt?

Numri i saktë i banorëve që morën pjesë drejtpërdrejt në Besëlidhjen e Lezhës nuk është i dokumentuar. Megjithatë, dihet se në këtë kuvend morën pjesë rreth 30 princa nga 12 familje të mëdha shqiptare. Në atë kohë, qyteti i Lezhës kishte rreth 7000 banorë, sipas të dhënave arkivore. Për krahasim, Kostandinopoja kishte rreth 21 000 banorë, ndërsa Shkodra rreth 12 000. Kjo tregon se Lezha ishte një nga qytetet më të rëndësishme të kohës në Arbëri dhe në rajonin e Ballkanit. Zgjedhja e Lezhës për mbajtjen e Kuvendit nuk ishte rastësore. Përveç pozicionit strategjik, qyteti ishte edhe një qendër e zhvilluar ekonomike. Në atë periudhë, nga viti 1393 deri më 5 tetor 1478, Lezha ishte nën administrimin e Republikës Veneciane, jo si rezultat i një pushtimi të drejtpërdrejtë, por përmes një marrëveshjeje.

5. Si ishte qyteti i Lezhës gjatë Mesjetës dhe si reflektohej kjo në strategjitë mbrojtëse?

Lezha mesjetare kishte një shtrirje prej rreth 22.3 hektarësh dhe përbëhej nga dy kështjella kryesore: qyteti i sipërm (Akropoli) dhe qyteti i poshtëm (Kështjella Breglumore). Administrata ndodhej në pjesën e sipërme, ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë jetonte në zonën e poshtme. Ekonomia e qytetit mbështetej kryesisht në tregti, peshkim dhe prodhimin e kripës. Një veçori e rëndësishme ishte prodhimi i qirinjve, të cilët eksportoheshin edhe jashtë vendit. Administrimi ushtarak kryhej nga përfaqësues të Republikës Veneciane, ndërsa organizimi ekonomik kishte një strukturë më të ndarë.

6. Cilat janë disa nga betejat më të rëndësishme të Skënderbeut dhe strategjitë e tij?

Një nga betejat më të rëndësishme ishte ajo e Torviollit, e cila ishte përballja e parë e madhe me Perandorinë Osmane dhe dëshmoi se ajo nuk ishte e pamposhtur. Në këtë betejë, Skënderbeu, me një ushtri prej 10 000–15 000 ushtarësh, arriti të mposhtte një ushtri osmane prej 25 000–40 000 ushtarësh. Gjithashtu, shumë të rëndësishme ishin rrethimet e Krujës, sidomos rrethimi i parë në vitin 1450. Në këtë rast, Skënderbeu kishte rreth 1500 ushtarë brenda kalasë dhe rreth 8000 jashtë saj, ndërsa ushtria osmane arrinte në rreth 26 000 ushtarë. Falë strategjive të tij të zgjuara dhe organizimit të mirë, ai arriti të detyrojë armikun të tërhiqej.

7. Si e kanë përshkruar historianët figurën e Skënderbeut?

Sipas Marin Barleti dhe kronistëve të tjerë, Skënderbeu përshkruhet si një njeri me pamje fisnike, trup të fuqishëm dhe karakter të qetë. Ai ishte i drejtë dhe shpesh falte edhe armiqtë e tij. Një nga tiparet më të veçanta ishte mënyra se si trajtonte robërit, duke i respektuar dhe duke krijuar një marrëdhënie njerëzore me ta. Kjo sjellje nuk ishte vetëm shenjë humanizmi, por edhe një strategji e zgjuar, pasi ndikonte në moralin e armikut dhe përhapte reputacionin e tij si një udhëheqës i drejtë dhe i respektuar.
TRADHTITË
Gjatë luftërave të tij pati edhe raste tradhtie. Në luftën veneciane të viteve 1447–1448, disa princa arbër, si Pjetër Smani dhe Bege Dushmani, u përfshinë në përçarje. Në vitin 1455 ndodhi një tjetër tradhti nga një komandant kufitar në Dibër. Një nga tradhtitë më të njohura ishte ajo e nipit të tij, Hamza Kastrioti. Ai kishte luftuar përkrah Skënderbeut për një kohë të gjatë dhe pritej të ishte trashëgimtari i tij. Megjithatë, pas martesës së Skënderbeut dhe lindjes së djalit të tij, Hamzai humbi shpresën për të marrë pushtetin dhe vendosi të bashkëpunonte me osmanët në vitin 1456. Megjithatë, në Beteja e Albulenës, Skënderbeu arriti të dalë fitues. Hamzai u kap rob, u burgos në Napoli dhe më pas u fal nga Skënderbeu, duke treguar edhe një herë karakterin e tij falës.

8. Cilat janë disa fakte interesante dhe të veçanta për Gjergj Kastriot Skënderbeun, që e bëjnë figurën e tij të paharrueshme në historinë shqiptare dhe atë botërore?

Në Romë është vendosur shtatorja e tij, e cila është vendosur më para se në Krujë apo në Shqipëri. Kjo do të thotë se bota e ka vlerësuar më shumë se ne. Librat e Marin Barleti në latinisht, që janë botuar për herë të parë në atë gjuhë, janë përkthyer në 25 gjuhë të Europës. Gjuha e fundit në të cilën është përkthyer ka qenë shqipja. Ndërkohë që pothuajse të gjithë popujt e kanë lexuar historinë e tij, populli grek, populli i Marin Barletit, populli i Skënderbeut, përveç atyre që e kanë ditur italishten, anglishten, frëngjishten, greqisht e të tjera me radhë, të fundit e kemi lexuar ne në gjuhën shqipe. Të gjitha këto qytetërime e kanë përkthyer në gjuhën e tyre amtare. Përpjekje janë bërë shumë, por jo mjaftueshëm sa nuk arritën të bënin përkthimin. Ndërsa Dhimitër Frangu, bashkëkohës i tij, e ka përkthyer për herë të parë në 2001. Kjo do të thotë se të huajt e kanë vlerësuar më shumë sesa e kemi vlerësuar ne. Ne sot jemi në zhvillim, nuk po them se nuk e kemi vlerësuar, por të huajt kanë qenë ata që e kanë vlerësuar deri në Luftën e Dytë Botërore. Edhe historitë e tij i tregojnë kryesisht autorë të huaj, edhe letërkëmbimet i ka bërë me Papën, me Napolin, me Venedikun, me Milanon, me Sienën, po ashtu edhe dokumentet sollën këto. Për të gjitha këto, që kemi menduar se pasqyrohen në jetën dhe veprën e tij. I janë bërë edhe vepra arti, imazhi, i cili më i vjetri është ai që e ka pasur dhe i është dhuruar nga një piktor italian kryeheroit (nuk kishte akademi e galeri, por peshë të madhe). Nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë e deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, përdorimi i figurës së Skënderbeut njihet si “Kulti i Skënderbeut”, duke u përdorur për të forcuar ndjenjën e bashkimit dhe identitetit shqiptar.

Punoi: Isla Frashni